Back

Presheva u bë bashkë me “Shkupi”-n

Salla e bibliotekës së qytetit në Preshevë ishte e ngushtë për të pranuar të gjithë të interesuarit për të përcjellë promovimin. Prezentë ishin edhe lexues të rinj, por edhe përfaqësues të gjeneratave më të vjetra. Shumë prej tyre shfrytëzuan rastin të evokojnë kujtime nga ditët studentore, kur kanë studiuar në normalen e Shkupit

Preshevë, 10 janar – Karvani promovues i gazetës “Lajm” dhe shtëpisë botuese “Logos – A” sërish ka kaluar kufijtë e Maqedonisë.  Qindra dashamirë të letrave shqipe nga Presheva, qendra e Kosovës Lindore, morën pjesë në promovimin e veprave “Shkupi” dhe “Lypsiqarët e Shkupit” të shkrimtarit të njohur shqiptar Kim Mehmeti. Në promovimin që të hënën u bë në bibliotekën e qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, kishin ardhur dashamirë të librit edhe nga Bujanoci, por edhe nga Kumanova.

Takimi i shkrimtarit Mehmeti me opinionin preshevar ishte tejet emotiv. “Unë e njoh traditën preshevare. Kryevendi në këtë qytet i lëshohet atyre që kanë merita të veçanta. Ju më keni bë nder me ftesën tuaj dhe shpresoj që e kem merituar këtë nder që ma keni bërë”, tha shkrimtari Mehmeti duke falënderuar rinitarët preshevarë dhe drejtorin e bibliotekës të cilët iniciuan dhe organizuan këtë promovim.

Salla e bibliotekës së qytetit në Preshevë ishte e ngushtë për të pranuar të gjithë të interesuarit për të përcjellë promovimin. Prezentë ishin edhe lexues të rinj, por edhe përfaqësues të gjeneratave më të vjetra. Shumë prej tyre shfrytëzuan rastin të evokojnë kujtime nga ditët studentore, kur kanë studiuar në normalen e Shkupit.

Pati edhe interesim të madh për të debatuar për të ardhmen e Preshevës dhe viseve tjera shqiptare që gjenden në skajet e trojeve etnike.

“Unë e kam thënë se çdo komb serioz duhet të kujdeset dhe ta forcojë atë që e quajë unazë, gjegjësisht skajet më të largëta të trojeve të veta etnike. Ne nuk do të kemi politikë serioze kombëtare përderisa nuk e forcojmë Manastirin, Preshevën, Bujanocin, Kumanovën dhe pjesët tjera që janë në kufi me sllavët. Tirana, Prishtina dhe Shkupi mbrohen në këto pjesë. Nëse  nuk i kemi të konsoliduara këto vise ne nuk mund të themi se kemi shtete të forta”, tha shkrimtari Mehmeti.

Sa i përket bashkimit të territoreve, Mehmeti tha se shqiptarët së pari duhet ti bashkojnë kokat, sepse i kemi të ndara, e pastaj tokat. Për Mehmetin shqetësim paraqet edhe abetarja që mësojnë nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, ndërsa diplomacinë e shtetit shqiptarë e quan inferiore kundrejt kësaj çështje.

Për vlerën historike të monografisë “Shkupi” foli historiani Skënder Hasani.

“Është fatkeqësi që historianët serb e maqedonas kanë bë dhjetëra monografi për Shkupin, kurse ne shqiptarët tani bëjmë monografinë e parë. Historianët dhe shqiptarët duhet ta falënderojmë  shkrimtarin Mehmeti për këtë vepër ku në mënyrë të argumentuar është zbërthyer e kaluara e lavdishme shqiptare e Shkupit. Kjo e kaluar flet se Presheva dhe Shkupi gjithmonë gjatë historisë kanë qenë të lidhura mes veti”, tha Hasani, duke e potencuar edhe rëndësinë e figurave preshevare gjatë proceseve historike kombëtare.  

Prezenca në qytetin e tyre e njërit prej emrave më të mëdhenj të letërsisë moderne shqiptare, nuk u anashkalua as nga autoritetet komunale të Preshevës. Kryetari i komunës Ragmi Mustafa organizoi një pritje speciale për shkrimtarin Mehmeti dhe për ekipin e gazetës “Lajm” dhe shtëpisë botuese “Logos A”.

“Në kohën kur Presheva po anashkalohet nga politikanët shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, është nder i madh për ne të kemi në mesin tonë një shkrimtar të madh si Kim Mehmeti”, deklaroi me këtë rast kryetari Mustafa.  

(Gazeta Lajm)